^^
Baza Ajrore e Gjadrit është ndërtuar pas pesë vitesh punë të xhenierëve, të mijëra punëtorëve nga Shkodra, Lezha e rrethinat e tyre, si dhe e mjaft specialistëve nga i gjithë vendi. Aerodromi, i ndërtuar me cilësi të lartë, sipas kërkesave skrupuloze të xhenierëve tanë e specialistëve kinezë, u bë me dimensione bashkëkohore e me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Regjimenti i Xhenios ndihmoi aty me rreth 2000 forca, oficerë, ushtarë e civilë, duke punuar me turne. Ata punuan për disa vite, rreth dymbëdhjetë orë në ditë. Efektivi komandohej nga ushtarakë të shquar të Regjimentit të Xhenios si: Lele Godo, Rexhep Hoxha, Mërkur Çarçani, kryeinxhinieri Kristaq Luarasi, etj.
Me 25 mars 1974, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, në urdhrin Nr. 001110 urdhëronte "Hapjen e Regjimentit të Katërt të Aviacionit Gjuajtës Bombardues në aerodromin e Zadrimës, mbi bazën e skuadriljes së parë MIG-21 të Rinasit dhe të skuadriljes MIG-19 të Kuçovës". Në muajin prill 1976 u organizua ceremonia e dorëzimit të saj. Me 10 korrik të vitit 1974 u përurua pista. Drejtues të dikasterit të Mbrojtjes e të Shtabit të Përgjithshëm, punëtorë e specialistë të huaj, ushtarakë të shumtë, por edhe banorë të zonave përreth do të ishin atë ditë të pranishëm për të parë nga afër uljen e dy avionëve. Atë ditë vere do të uleshin aty Haki Jupasi me avion MIG-19, në atë kohë komandant i Regjimentit të Rinasit dhe zv/komisari i Rinasit, Serafin Shegani me avion MIG-21.
Tuneli kishte të sistemuar tri skuadrilje avionësh, pra më shumë se 40 të tillë. Në anën e djathtë ishte ofiçina e riparimit të avionëve. Ajo ishte moderne, i kishte të gjitha mjetet e nevojshme për kryerjen e punimeve në avion pa qenë nevoja për të dalë prej tunelit. Kishte makina metalprerëse, mjete për ndarjen e avionit në dy pjesë, që jepnin mundësi për riparime, stenda për kontrollin e aparaturave të avionit etj. Brenda në tunelin e madh ishte edhe centrali i pavarur elektrik me djegie të brendshme me dy motorë të mëdhenj. Sistemi elektrik i pavarur, futej në funksion kur ndërpritej lidhja elektrike me Shkodrën apo Lezhën, ose lidhja direkt që kishte baza me hidrocentralin e Vaut të Dejës. Tuneli kishte një sistem perfekt zjarrfikës e ventilimi, ndërsa nga brenda tij, harku i mureve të betonit ishte i veshur me material plastik, për të eliminuar lagështirën e tepërt që dëmtonte teknikën dhe njerëzit. Mbi tunel ishte mali i Kakarriqit, mjaft i lartë, që eliminonte mundësinë e dëmtimit nga çdo lloj bombe. Po nën mal, në tunele të tjera më të vegjël, ishin depot e raketave të drejtuara të avionit MIG- 21, dhe depot e mëdha të karburanteve. kostoja
Në tunele ishin sistemuar depot e laboratorët e vënies në funksionim të baterive, magazina të armatimit, bombave të avionëve e raketave të padrejtuara SAM-57. Tuneli i madh i avionëve, i ndërtuar në formë patkoi, apo U-je, kishte dy hyrje-dalje, në secilën prej të cilave ishin nga dy palë dyer të mëdha, aq sa duhej për të kaluar lirshëm avionët. Ato ishin prej hekuri e betoni dhe me strukturën e tyre mendohej se ishin të afta të përballonin valën goditëse të bombës atomike. Në çdo tunel, do kaloje një sistem dyersh, të llogaritura që të ndalonin efektet e bombardimeve, apo të valës goditëse, të mbërrinin deri tek objektet e punës së njerëzve e teknikës. Një bombardim, mund të nxirrte jashtë përdorimit njërën, apo disa prej dyerve, por gjithsesi, sistemi me shumë dyer parandalonte shkatërrimin e plotë të objekteve që ishin në zemër të malit. Pranë çdo depoje dhe objekti kishte disa dyer të tilla rezervë. Në mes të "patkoit", ishte hyrja për në tunelin e vendkomandës së repartit. Nga një sallë e madhe drejtoheshin operacionet e luftimit. Ajo kishte pranë sallën e kontrollit të hapësirës ajrore, një sallë mbledhjesh, zyra të ndryshme për drejtuesit e repartit, mensën e të gjitha ambientet e nevojshme për të gjithë efektivin. Vetëm dhoma fjetjeje ishin pesëdhjetë të tilla. Tuneli i vendkomandës, nëpërmjet kalimesh të ngushta, lidhej me të dy anët e tunelit të avionëve.
....Gazeta Shekulli