Programi i Qeverisë Shqiptare për Transportin Detar
Zhvillimi i Transportit Detar bazohet në Planin Kombëtar të Transportit, Strategjinë e Zhvillimit dhe të Integrimit dhe në Master Planet e secilit Port.
Hartimi i Planit për Zhvillimin e Porteve dhe realizimi i projekteve për rritjen e kapaciteteve të tyre, është një drejtim i rëndësishëm i Planit Kombëtar të Transportit.
Ai synon rritjen e aftësive përpunuese të porteve, rritjen e punësimit në transportin dhe aktivitetet detare dhe projektimin e një sistemi modern të transportit detar. Gjithashtu, në zbatim të Planit do të realizohet përmirësimi dhe specializimi i funksioneve të porteve dhe rritja e intermodalitetit të tyre, veçanërisht përmirësimi i lidhjes së tyre me hekurudhën.
Një vëmendje të veçantë do të marrë zgjerimi i Portit të Shëngjinit, si dhe ndërtimi i porteve turistike, mbështetur nga infrastruktura e logjistika e nevojshme për këtë qëllim.
Drejtimet kryesore mbi të cilat po punohet janë:
- Përmirësimi i legjislacionit kombëtar në fushën e transportit detar duke e përafruar atë drejt legjislacionit evropian, si edhe plotësimin me akte ligjore dhe nënligjore për përforcimin e sigurisë së jetës në det, mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja, trajnimi dhe certifikimi i detarëve sipas standardeve të IMO-s;
- Konsolidimi i Drejtorisë së Përgjithshme Detare me struktura të plota funksionale dhe me personel të trajnuar dhe certifikuar sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.
- Forcimi i masave të sigurisë gjatë lundrimit, sigurisë në anije dhe në portet detare të Republikës së Shqipërisë me qëllim sigurimin e jetës në anije dhe në det, rritjen e cilësisë në anijet shqiptare dhe përmirësimin e kushteve të punës së detarëve në anije sipas standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.
- Zhvillimi i sistemit të porteve mbi bazen e Master Planeve te tyre, duke konsistuar në rehabilitimin dhe zgjerimin e infrastruktures dhe super-struktures portuale, ndertimin e terminaleve te specializuara me teknologji bashkekohore, kompletimin e privatizimit te te gjitha shërbimeve, për një integrim sa më të shpejte të tyre në sistemin e porteve në Detin Adriatik dhe Rajonit të Mesdheut.