Voskopoja e të gjitha stinëve
Elona Demollari
Voskopoja është një nga vendet që mund ta vizitosh si në dimër, ashtu edhe në verë dhe ta shijosh njëlloj. Për ata që duan të arratisen dhe t’u shpëtojnë ditëve përvëluese të verës, Vokopoja është një oaz qetësie dhe freskie. Por edhe tani në dimër për ata që kanë mall për borën, për të ftohtin e një dimri të vërtetë, për të apasionuarit e sportit të skive, Voskopoja është vendi ideal.
Voskopoja është e populluar si në verë, po aq edhe në dimër dhe vizitorët janë nga të gjithë trevat, madje nuk mungojnë as ata të huajt.
Fillimisht, kur zhvillimi i turizmit ishte vetëm në hapat fillestarë, Voskopoja kishte një numër të vogël vizitorësh dhe hotelet ishin të paktë. Vit pas viti, kushdo që është vizitor i rregullt i Voskopojës, sheh që gjithnjë që shkon ka objekte të reja, hotele të rinj, restorante të rinj.
Pjesa më e madhe e ndërtimeve të reja janë të punuara në gur, me gurë kalldrëmi janë të shtruara dhe rrugët dhe në gurë është shkruar dhe një pjesë e historisë së Voskopojës.
Përveç klimës dhe bukurisë si në dimër dhe në verë, Voskopoja është një vend i mirë dhe për turizmin kulturor. Në këtë fshat ka copëza historie shumë të vlefshme. Nga 25 kishat me afreske që kanë ekzistuar gjatë viteve ‘700, tashmë kanë mbetur 8 kisha, por me një vlerë shumë të madhe kultturore. Për këtë arsye, Voskopoja është destinacion i restauratorëve të kishave dhe të studentëve të arkeologjisë.
Vizitorë pa dallim moshe
Mos u çudisni nëse merrni rrugën drejt Voskopojës dhe aty gjeni grupmosha nga një fëmijë fare i vogël deri tek shumë të moshuar. Voskopoja është një “parajsë” tokësore, e cila preferohet nga të gjithë. Vizitorët shpeshherë janë dhe figura të njohura të ekraneve shqiptare, qofshin politikanë, artistë etj.
Shpeshherë janë të organizuar në grupe të ndryshme shoqërie, miqsh, apo të afërmish. Fundjavat janë më të preferuarat për t’u strehuar në Voskopojë dhe ndonjëherë bën mirë që dhomën e hotelit ta rezervosh para se të shkosh në vend, sepse mund të ndodhë që të mos ketë asnjë dhomë të lirë.
Një ditë në Voskopojë
Sapo shkel në fshat dhe mësohesh me ambjentin përreth dhe bukuritë e natyrës, natyrshëm pyet veten se ç’mund të bësh gjithë ditën në Voskopojë.
Vërtet dita nuk ka intensitetin e një dite të zakonshme në qytetin tënd, por ama në fund të fundit qëllimi është të kënaqesh duke bërë diçka ndryshe. Pasi ke shijuar mëngjesin që serviret në hotel, mund të bësh një rrugëtim të shkurtër për të parë manastirin e Shën Prodhomit. Nga aty mund të shijohet dhe një pamje e mrekullueshme e fshatit dhe e natyrës.
Nëse je në grup, koha pastaj mund të organizohet shumë mirë me ndonjë lojë me top. Hotel “Akademia”, i cili është dhe hoteli më i famshëm në Voskopojë, ofron një fushë futbolli, kënd lojrash etj.
Për ata të rriturit nostalgjikë për lojërat e fëmijërisë, Voskopoja ëshsë vendi ideal për të bërë një lojë symbyllazi. Ka aq shumë vende për t’u fshehur, sa mund të të ikë gjithë dita si pa e kuptuar, duke kërkuar nëpër pyll.
Në verë Voskopoja është vendi ideal për të apasionuarit pas natyrës. Mund të shijosh bukurinë e bimëve dhe luleve të ndryshme, ndërsa në dimër është vendi ideal për të apasionuarit pas gjuetisë.
Darka… i ngjan një mbrëmjeje gala me një ndryshim të vetëm veçse, “të ftuarit” janë të shumë larg të veshurit të kostumeve dhe fustaneve mondane, por janë të veshur thjesht, me tuta dhe atlete për t’u përshtatur sa më shumë me vendin.
Salla e madhe e hotel Akademisë, pasi ke mbaruar së ngrëni kthehet në një arenë kërcimi. Ka nga të gjitha muzikat, për të gjitha preferencat dhe ndryshe nga këto pabet tona që nuk jemi mësuar të shohim pleq duke kërcyer, aty ka dhe pleq që kërcejnë, pse jo dhe muzikë house.
Ka dhe nga ata që shkojnë vetëm për gatimet e veçanta
Mes shokësh e shoqesh kur planifikojmë ndonjë udhëtim në Voskopojë, shpesh dëgjojmë: “Aman… dua të shkoj vetëm për të ngrënë një lakror me saç, se më ka marrë malli për një lakror me saç…”
Dhe në fakt lakrori me saç është vetëm një nga gjërat e mrekullueshme që të mund të shijosh në Voskopojë. Frekuentuesit e rregullt të Voskopojës e dinë shumë mirë se ku mund të hanë një lakror të tillë. Madje ka shumë nga ata që qëndrojnë tek hoteli, por darkën ose drekën zbresin ta hanë në fshat. Dita- ditës alternativat për të zgjedhur janë shtuar, kjo sepse aty hapen gjithnjë restorante të reja me specialitete dhe me gatime tradicionale.
Kush ka shijuar lakrorin me saç, nuk ka si i shpëton tundimit për të ngrënë dhe mish qingji të pjekur në saç. Po rakisë? Ne shqiptarët e kemi quajtur si pijen e preferuar dhe në Voskopojë, kjo pije të bëhet edhe më e preferuar e shoqëruar me turshi të bëra vetë, djathë i zonës, salcë kosi dhe sallata të ndryshe sipas stinës. Këto ushqime i gjen kudo, në çdo restorant, vetëm se këtu kanë një të veçantë: janë thuajsë të gjitha produkte të zonës.
Mëngjesi hahet në hotel dhe është i përfshirë brenda çmimit të dhomës. Është një mëngjes normal me mjaltë, çaj, qumësht, gjalpë dhe vezë fshati.
Çmimet në Voskopojë
Një dhomë hoteli varion nga 2 500 – 3 000 lekë. Për ata që duan të kalojnë natën në një villetë (një bllok vilash të vogla druri) çmimi është 4 000 lekë/nata. Kush i ka parë, e kupton që ndonjëherë ia vlen të sakrifikohet ndonjë lek më tepër për të qëndruar aty. Gjëja më e veçantë, më karakteristike dhe më romantike e këtyre viletave, është oxhaku.
Përsa i përket gatimeve, çmimet janë normale. Një lakror me dy petë në saç kushto nga 1 000 – 1 500 lekë të reja, kjo në varësi të madhësisë. Lakrori me dy petë përgatitet me gjellëra të ndryshme, në varësi të kërkesës së klientit.
Një kilogramë mish qingji i pjekur në saç shkon rreth 15 mijë lekë të vjetra, ndërsa çmimet e sallatave dhe shoqëruesve të tjerë të tavolinës janë të zakonshme me ato të gjithë restoranteve të tjerë.
Meqë jemi në dimër…
Në dimër, por jo për këta dimrat e butë që shohim ne, Voskopoja mbulohet nga bora. Vizitorëve të ndryshëm u ka ndodhur të jenë zgjuar nga pronari i hotelit në mëngjes herët, i cili u ka këshilluar që nëse kanë planifikuar të largohen, duhet të largohen, ndryshe do të izolohen nga dëbora e dendur.
Në Voskopojë gjendet Pista e Skive, aty zhvillohen garat rajonale dhe praktikohet sporti i skive nga të gjithë, nga profesionistë dhe nga amatorë në këtë sport.
Dhe në fakt gjatë stinës së dimrit, ky është një nga qëllimet kryesore se përse Voskopoja është kaq e vizituar. Për nostalgjikët dhe adhuruesit e dëborës, Voskopoja është vendi ideal ku mund të shijohet bukuria e dëborës.
Si kudo, rrugë me gropa dhe këtu
Listës së vendeve me rrugë të prishura dhe gropa, nuk ka si t’i mungojë as Voskopoja. Pjesa e rrugës deri në fshat është e shtruar dhe e asfaltuar, ndërsa rruga nga fshati deri në ish-Kampin e Pionerëve është e turpshme të thuhet se është rrugë e një zonë turistike. Janë shumë pak kilometra rrugë nga fshati deri në hotel, e megjithatë nëse ke një makinë sportive dhe të vogël, duhet të mendohesh mirë para se të vendosësh ta ngjitësh lart. Kur pyesim për rrugën, banorë të zonës na thonë se një hedhje pritje topi mes komunës dhe pronarëve të hotelit ka bërë që rruga të jetë në këtë gjendje.
Pronari i hotelit pretendon se rrugën duhet ta shtrojë komuna me fondet e saj, pasi është rrugë e kësaj komune, ndërsa komuna mendon se rrugën duhet ta shtrojë pronari i hotelit, pasi kjo rrugë përdoret nga vizitorët e këtij hoteli. Derisa këto dy palë të vendosin se përgjegjësia e kujt janë këto pak kilometër rrugë, ne na duhet të shkëpusim mendjen nga bukuria e natyrës dhe të mendojmë… a ka në ndonjë vend të botës një vend turistik me rrugë në të tilla gjendje?!
http://www.shekulli.com.al/shekulli/2011/12/15/voskopoja-e-te-gjitha-stineve/