Stema e Familjes Meksi.
Familja fisnike Meksi përmendet në dokumente historike në shek. XV. Pas pushtimit Osman, Meksajt luftojnë si stratiotë nëpër repartet e ushtrive të Venedikut. Një degë e kësaj familjeje u vendos në Dalmaci që më 1449. Më 1553 Meksajt i gjejmë në katalogun e familjeve fisnike të Kotorrit, i cili ishte nën Republikën e Venedikut.
Në Shqipëri shquhet Vangjel Meksi nga Labova e Gjirokastrës, mjek, lëvrues i gjuhës shqipe, i cili përktheu për herë të parë në gjuhën shqipe “Dhjatën e re” (1821), e cila u botua pas vdekjes së tij, nën kujdesin e Grigor Gjirokastritit, në Korfuz, më 1827.
Stema e stratiotëve Meksi, që luftuan dhe jetuan në qytetin e Kotorrit, është e kaltër me një brez të artë. Në pjesën e sipërme të shqytit është një pëllumb i argjendtë dhe në pjesën e poshtme dy yje të artë gjashtëcepësh. Mbi shqyt një përkrenare e kurorëzuar, në qafen e së cilës është një kryqth i zi “patent” me pelhurë koke të ojnëzuar , të verdhë nga brenda dhe të kaltër nga jashtë. Për kreshtë ka tri pendë: të kaltër, të verdhë, të kaltër. Ky blazon u punua nga J.B Rietstap, më 1887.
Heraldika Shqiptare Albanian Heraldry