Construction of the Prishtinë-Gjilan Highway started.
Rruga që lidhë rajonin e Prishtinës me Gjilanin
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti, bëri
përurimin e fillimit të asfaltimit të rrugës Grashticë – Mramuer.
Ajo është pjesa e tretë e unazës së kryeqytetit, ndërtimi i së cilës është paraparë me planin urbanistik të Prishtinës.
Sot me një solemnitet rasti në fshatin Grashticë, Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti, Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinë Ismet Beqiri dhe zëvendësi i tij Shefki Gashi kanë bërë përurimin
e fillimit të asfaltimit të rrugës Grashticë – Mramuer. Gjatësia e kësaj rruge është 7.5 km, ndërsa vlera e punimeve kap shumën prej 2.2
milion euro, nga të cilat 1,8 milion i ka siguruar Ministria e Transportit
dhe Postë-Telekomunikacionit, ndërsa 400 mijë euro Kuvendi Komunal i Prishtinës. Punët ndërtimore iu kanë besuar kompanisë “Famis Commerce” nga Theranda.
Në këtë përurim, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e jetës institucionale të Kosovës, shumë udhëheqës të kuvendeve komunale dhe qindra banorë të kësaj ane, Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti tha se ndjenë kënaqësinë që edhe zyrtarisht po e inauguron rrugën Grashticë-Mramuer, si rrugë alternative që lidhë rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit. Ai shtoi se kjo rrugë është edhe pjesë e unazës së Prishtinës, që me planin urbanistik të kryeqytetit paraqet pjesën e tretë të kësaj unaze.
Ministri Ahmeti tha se asfaltimi i kësaj rruge do të jetë një magjistrale dhe nëse do të mbajë kohë e mirë, kjo arterie e rëndësishme do të kryhet gjatë këtij viti. “Kemi përzgjedhur një kompani mjaft serioze, për t`i kryer punimet. I uroj të gjithë banorët për ketë rrugë, e veçanërisht ata të cilët në vitin 2005 patën shfaqur dyshimin për ndërtimin e saj. Unë iu pata premtuar atyre se në vitin 2006 do të përfundojë ndërtimi i kësaj rruge. Kjo do të thotë se po e bëjmë realitet nismën e presidentit Ibrahim
Rugova, tha ministri Ahmeti.
Në anën tjetër, kryetari i KK të Prishtinës, Ismet Beqiri, tha se kjo është një ditë e veçantë për kryeqytetin e Kosovës dhe në veçanti për banorët e kësaj ane, sepse po bëhet realitet ajo që kemi planifikuar gjatë si komunë. Vetë projekti i unazës së jashtme është projekt i shpëtimit për Prishtinën, ngase ata që do të kenë nevojë për të hyrë në qendër të saj, do të kalojnë nëpër këtë unazë periferike.
Prishtinë, 2 Qeshor 2006