Autostrada Kijevë-Zahaq nis sivjet me kredi
Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë – Pejë, përkatësisht nga Kijeva deri në Zahaq pritet të bëhet në qershor dhe shumicën e mjeteve prej 200 milionë eurove, Qeveria e Kosova i ka siguruar nga partnerët e saj ndërkombëtarë me hua.
Kështu tha sot ministri i Financave Bedri Hamza para Komisionit për Buxhet dhe Financa, gjatë arsyetimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e autostradës Kijevë-Zahaq.
Ministri Hamza tha se për këtë projekt madhor prej rreth 33 kilometrash punimet mund të fillojnë në fund të pranverës.
Kryetari i Komisionit Lumir Abdixhku, duke vlerësuar lart këtë marrëveshje ndërkombëtare, tha se kjo është pikërisht ajo çfarë po kërkojnë, që pjesa më e madhe e investimeve kapitale të financohen prej kredive të tilla afatgjate.
Sipas tij, edhe kushtet e kredisë janë të ulëta dhe kostoja e ndërtimit del më e lirë krahasuar me ndërtimin e autostradave në të kaluarën.
Abdixhiku shtoi se me këto mjete prej 200 milionë euro, del se projekti Kijevë-Zahaq prej 33 kilometrash do të ketë një çmim për një kilometër rrugë në vlerë prej afër 6. 5 milionë euro.
Anëtarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj, duke përgëzuar gjetjen e mjeteve për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë, ka thënë se shumë marrëveshje të ratifikuara në kuvend të kësi lloj nuk janë zbatuar në tërësi.
Marrëveshja në fjalë do të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës, e cila do të fillojë të realizohet nga viti 2018, kohëzgjatja e marrëveshjes financiare është 15 vjet.
Ndryshe, të gjithë anëtarët e këtij Komisioni kanë votuar pro projektligjit për autostradën Kijevë-Zahaq
Projekti final për autostradën Kijevë – Zahaq është gati për implementim
![]()
Prishtinë, 28 shkurt 2019
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten njoftoi për përfundimin e projektit final të autostradës Kijevë- Zahaq.
Me këtë rast, Lekaj tha se për këtë projekt gjigant të përmbledhur në 240 dosje që përmbajnë të dhënat e detajuara për këtë autostradë, elaboratet shpronësuese e lejen mjedisore, brenda dy ditësh do të hapet edhe tenderi për përzgjedhjen e punëkryesit e saj.
Me përfundim të procedurave tenderuese, punët në teren për realizimin e autostradës Kijevë – Zahaq, sipas kreut të MIT, pritet të fillojnë brenda dy muajsh.
Në këtë paraqitje për medie, sekretari permanent të MIT, Betim Reçica, njësitet mbikëqyrëse dhe ai i konsulencës se Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhanë edhe detajet e projektit.
Punët në autostradën rreth 32 kilometërshe do të kryhen të ndara në 3 Lote dhe ajo do të përmbajë të gjitha paramasat e sigurisë, ndriçimin dhe elementet e tjera të autostradave të niveleve evropiane.
Kosto e saj është rreth 238 milionë euro dhe mjetet për realizimin e saj janë siguruar me kredinë e BERZH-it.
Është paraparë të përfundoj për 36 muaj, por kjo varet nga plani dinamik që do të paraqes kompania për kryerjen e punimeve pas përzgjedhjes në procedurat tenderuese.